Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Zhvillohet Konferenca e V Shkencore Kombëtare e Shkencave Ligjore

Departamenti i Formimit të Përgjithshëm dhe Juridik në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit në Akademinë e Sigurisë, në bashkëpunim me Institutin e Policisë Shkencore, Institutin e Mjekësisë Ligjore, Shoqatën e Shkencave Ligjore, Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Fakultetin e Shkencave Humane në Universitetin e Vlorës, ka organizuar Konferencën e V Shkencore Kombëtare të Shkencave Ligjore.

Në këtë konferencë morën pjesë zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit Albert Devishaj, Drejtori i Akademisë së Sigurisë Bilbil Memaj, Dekani i Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit Prof. Dr. Ilirjan Mandro dhe Drejtori i Institutit të Policisë Shkencore Niko Brahimaj.

Kjo konferencë zhvillohet pas një periudhe praktike gati 22-vjeçare nga konferenca e fundit, që është zhvilluar në vitin 1999.

Në këtë konferencë u paraqitën punime të ndryshme shkencore nga specialistë të fushës kriminalistike, të mjekësisë ligjore dhe ekspertë të fushave të tjera, me tematika për legjislacionin, procedurat kërkimore, teknikat dhe metodat e përdorura për identifikimin e autorëve të veprave penale.

Gjatë konferencës u diskutua mbi sistemin aktual të edukimit dhe nevojën për përmirësim në fushën e shkencave ligjore, impaktin e shkencave ligjore në sistemin e drejtësisë, si dhe u bë një analizë krahasuese për zhvillimin e shkencave ligjore brenda dhe jashtë vendit.