Jetëshkrim
Dekani i Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit
Prof. Dr. Ilirjan MANDRO
Ilirjan Mandro ka lindur në Elbasan në vitin 1961. Ka mbaruar Studimet e Larta dhe është Diplomuar “Specialist I Lartë Policie” në Qershor të vitit 1984. Mars të vitit 1985 përfundon kursin pasuniversitar dhe certifikohet “Ekspert Kriminalist”. Në korrik të vitit 1991 përfundon studimet pranë Fakultetit të Drejtësisë/ Universiteti i Tiranës dhe merr titullin “Jurist”. Në shtator 2002, diplomohet pranë Akademisë së Mbrojtësve të Ligjit (ILEA/ sesioni 37). Në Qershor të vitit 1994, mbron në Fakultetin e Drejtësisë, gradën shkencore “Doktor” dhe në shtator të vitin 1999 ka fituar titullin “Mjeshtër Kërkimesh”. Me vendim nr. 90/28.01.2004 të KKSH pranë Ministrisë së Arsimit merr titullin “Profesor” në fushën e Drejtësisë. Mban gradën policore “Drejtues i Parë”. Ka filluar karrierën profesionale në vitin 1985 dhe ka punuar fillimisht si specialist i këqyrjes së vendit të ngjarjes në disa drejtori policie vendore Vlorë, Lezhë, Shkodër, Rrëshen dhe Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë. E gjithë karriera e tij profesionale është evidente në fushën e hetimit në përgjithësi, këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe kërkimeve shkencore kriminalistike në veçanti. Në vitin 1991 ka punuar në Akademinë e Rendit fillimisht si asistent pedagog në lëndën e “Kriminalistik” dhe më vonë si pedagog i kësaj lënde të cilën vazhdon të zhvillojë në vazhdimësi. Ka qenë pedagog në lëndën e të “Drejtës Penale (pjesa e përgjithshme dhe e posaçme)”. Në vitet 1993-2008 ka kryer detyrën e përgjegjësit të Departamentit të së Drejtës Penale në Akademinë e Rendit Publik. Në vitin 2001 emërohet zëvendësdrejtor i Akademisë së Policisë “Arben Zylyftari”. Me hapjen e Shkollës Pasuniversitare në Akademinë e Policisë i caktohet dhe drejtimi i saj. Në vitin 2008 emërohet “Drejtues i strukturës së trajnimeve vazhduese, trajnimeve në shërbim dhe trajnimit në terren” në Policinë e Shtetit. Në qershor të vitit 2015 është emëruar Dekan i Fakultetit te Hetimit të Krimit pranë Akademisë së Sigurisë dhe në Shtator të vitit 2016 emërohet “Dekan I Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit”.
Pas vitit 1993 dhe në vazhdim, është aktivizuar si pedagog i kriminalistikës në fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës dhe nga viti 2008 si pedagog i ftuar pranë departamentit të Drejtësisë, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, etj. Prej vitit 2004 e në vazhdimësi është lektor në Shkollën e Magjistraturës në lëndën e “Kriminalistikë”. Është aktivizuar si “Trajnues” në kurset e organizuara nga Misioni Policor ICITAP (USA), Misioni Policor-PAMECA dhe organizma të tjera Ndërkombëtare. Prej vitesh ka qenë Udhëheqës Shkencor për marrjen e Gradës “Doktor” të disa kandidatëve dhe Anëtar në Komisionet e krijuara për marrjen e titullit “Profesor” dhe “Profesor i asociuar” në fushën e të Drejtës Penale pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Është anëtar i disa komisioneve për Akreditimin e Programeve në Fakultetet e Drejtësisë të disa Universiteteve. Ka kryer kualifikime dhe specializime si brenda dhe jashtë vendit si në SHBA, Itali, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar etj, në fushën e hetimit, policisë shkencore, luftës kundër terrorizmit, menaxhim situatash kritike, drejtim dhe menaxhim operacionale, drejtim dhe analiza strategjike dhe në fushën e mësimdhënies. Prof. Dr. Ilirjan Mandro, është autor i disa teksteve mësimore universitare të tilla si “Këqyrja e vendit të ngjarjes në Vrasje”; “Metodikat e hetimit ne aksidentet automobilistike”; “Në labirintet e balistikës kriminalistike”; “Kriminalistika mbi identifikimin e armëve të zjarrit; “E drejta Penale (Pjesa e Përgjithshme)”; “Kriminologji/Penologji”, “Këqyrja e vendit të ngjarjes në katastrofat ajrore”; “Taktikat dhe teknikat në Procesin e Pyetjes”; “Njohuri mbi kriminalistikën”; “Kriminalistika Pjesa e Pare dhe e Dytë; “Policia Shkencore” si edhe bashkautor në manualet “Dhuna në Familje”, “A. B. C e Policimit”; “Policia dhe te Drejtat e Njeriut” etj. Ka qenë referues në mbi 37 konferenca Kombëtare dhe Ndërkombëtare për tema te hetimit te krimit, zhvillimit te procesit arsimor policor dhe mbi trajnimet vazhduese ne sistemet arsimore policore.
Komunikimi Virtual
Na Ndiqni:Me shume Informacion Rreth Nesh?