Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

50 VJET ARSIM I LARTË POLICOR: 1971-2021

50 VJET ARSIM I LARTË POLICOR: 1971-2021

AKADEMIA E SIGURISË KREMTON 50 VJETORIN E ARSIMIT TË LARTË POLICOR

Në ambientet e Akademisë së Sigurisë, më datë 20 dhjetor 2021 u zhvillua një aktivitet me rastin 50 vjetorit të arsimit të lartë policor. Në këtë aktivitet morën pjesë zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Brendshme, drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit, ish-drejtorë që kanë drejtuar këtë Akademi ndër vite, ish-pedagogë të arsimit të lartë policor si dhe pjesëmarrës të shumtë nga institucione arsimore, ato të sigurisë etj.
Fjalën e hapjes së aktivitetit e mbajti drejtori/rektori i Akademisë së Sigurisë, drejtues i lartë dr. Bilbil Memaj, i cili vlerësoi kontributin e dhënë ndër vite nga brezat e ndryshëm që ngritën arsimin e lartë policor. Krahas tij, e përshëndetën si të ftuar specialë këtë aktivitet, ish-drejtorët e kësaj akademie, prof. dr. Luan Gjoncaj dhe prof. asc. dr. Bajram Yzeiri. Në fjalën e tyre ata vlerësuan me tone të larta brezat që kanë dalë nga kjo akademi dhe përcollën mesazhin e vijimësisë e të forcimit të arsimit të lartë policor, si një domosdoshmëri e pazëvendësueshme për policinë.
Krahas të ftuarve të nderit, fjalë zyrtare në aktivitet mbajti edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtues madhor Gledis Nano si dhe zëvendësministri i Brendshëm z. Julian Hodaj. Në fjalët e tyre ata vlerësuan njëzëri punën e Akademisë dhe theksuan misionin e fuqizimit të arsimit të lartë policor, si një nevojë që ka lidhje me sfidat e kohës. Më pas, u shpërndanë për disa drejtues të kësaj akademie në vite, certifikata mirënjohjeje për kontributin e dhënë në fushën e arsimit policor; certifikata të tilla u dhanë edhe për disa punonjës aktualë të Akademisë së Sigurisë, të cilët kanë spikatur me punën e tyre në drejtimin e arsimimit të brezave. Në fund të pranishmit bënë një vizitë në ambientet e Akademisë së Sigurisë, në shenjë respekti dhe nderimi për këtë datë të shënuar të arsimit të lartë policor.
Arsimi i lartë policor në Shqipëri fillon me vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 184 datë 20.12.1971. U vendos krijimi i Shkollës së Lartë 3-vjeçare të Ministrisë Punëve të Brendshme. Hapja e Shkollës së Lartë dhe fillimi i zhvillimit të programeve të rregullta mësimore u bë në shtator 1972. Kjo shkollë u përfshi në sistemin e lartë arsimor policor (fillimisht jo universitar), me kohëzgjatje dy vjet me shkëputje nga puna dhe një vit stazh në organet policore vendore. Pas përfundimit të stazhit dhe diplomimit, studenti titullohej “Oficer policie”. Në dhjetor të vitit 1972 me VKM u miratuan edhe kriteret rigoroze të pranimit në këtë shkollë.
Në ligjin për Policinë e Shtetit, nr. 108/2014, në nenin 37, parashikohet që Policia të ketë institucionin e saj arsimor përgjegjës për formimin, specializimin dhe kualifikimin e punonjësve të strukturave të Policisë së Shtetit të nivelit operues, administrativ dhe menaxherial. Në zbatim të këtij neni, me VKM nr. 185 datë 25.2.2015, u krijua Akademia e Sigurisë, tashmë përgjegjëse edhe për edukimin dhe trajnimin e punonjësve të strukturave të tjera të sigurisë në vend.
Rihapja e Akademisë së Sigurisë, në vitin 2015, (pas një periudhe mbylljeje që nga 2009) dhe konceptimi i saj strukturor, infrastrukturor e në kurrikula si institucion i arsimit të lartë publik, me programe ku ndërthuren arsimimi bazë policor me trajnimet e kualifikimet institucionale, dhe arsimimi i lartë në të tre ciklet (sipas Kartës së Bolonjës), shënon një moment të rëndësishëm për Policinë e Shtetit. 
Videon e plotë të 50 vjetorit të AS, e gjeni mëposhtë.https://www.facebook.com/100027623741627/videos/pcb.976176956646420/272467954778573

  1. Fjala përshëndetëse e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me rastin e 50-vjetorit të Akademisë së Sigurisë.
  2. 50-Vjetori i Akademisë së Sigurisë - Fjala e zv.ministrit të Brendshëm Julian Hodaj