Misioni i Qendrës Kërkimore Shkencore (shkurt QKSH), është që të ofrojë kërkime, studime shkencore e botime cilësore në fushën e policimit dhe të sigurisë publike si dhe të menaxhojë veprimtarinë kërkimore e shkencore në përputhje me nevojat, vizionin dhe prioritetet strategjike të zhvillimit të Policisë Shtetit. Struktura organizative e QKSH është e organizuar në nivel drejtorie si pjesë integrale e Akademisë së Sigurisë.
Drejtoria e QKSH përbëhet nga: 1.Sektori i studimeve dhe kërkimeve, 2.Sektori i botimeve.
QKSH kryen kërkime shkencore dhe studime në fushën e policimit dhe të sigurisë, në përputhje me vizionin dhe prioritetet strategjike të zhvillimit të Policisë Shtetit; ofron botime në fushën e policimit dhe të sigurisë sipas standardeve të cilësisë dhe të etikës akademike si: revista shkencore e AS-së, tekstet, broshurat, guidat, si dhe produkte të tjera informuese të shfrytëzueshme si për komunitetin shkencor, ashtu dhe për një audiencë më të gjerë.
Qendra menaxhon kërkimin shkencor në Akademinë e Sigurisë e në Policinë e Shtetit dhe mbështet personelin akademik në aktivitetet e tyre kërkimore; mbështet personelin akademik dhe studentët e Akademisë lidhur me hulumtimet dhe metodologjinë e kërkimit shkencor si dhe zhvillon një politikë të gjerë bashkëpunimi në fushën e kërkimit shkencor me institucionet e tjera kërkimore të arsimit të lartë dhe institucionet dhe agjencitë e tjera të sigurisë.
QKSH shpërndan rezultatet studimore në fushën e rendit dhe sigurisë si dhe informon publikun duke përdorur strategji dhe teknika të ndryshme si: publikime, promovime studimore, diskutime në grupe specialistësh, seminare, simpoziume, konferenca, panele akademike etj. Një ndër angazhimet serioze të saj, është edhe organizimi i konferencave shkencore kombëtare, rajonale dhe si ndërkombëtare në bashkëpunim me struktura e institucione të tjera kërkimore në vend dhe jashtë tij. Ajo organizon edhe veprimtari të tjera hulumtuese, zhvillimore e shkencore në fushat që mbulohen me programet studimore në fakultetet e Akademisë së Sigurisë. Qendra kontribuon në mësimdhënie, oponenca, recensa, udhëheqje punimesh shkencore të ciklit të dytë dhe të tretë, në kuadër të programeve mësimore të Akademisë së Sigurisë, sipas nevojës.
Komunikimi Virtual
Na Ndiqni:Me shume Informacion Rreth Nesh?