Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Ceremoni për dorëzim certifikatash për kryekomisar Qetësor Gurra dhe komisar Mimoza Ibrahimi

Më datën 23 mars 2021 në ambientet e Akademisë së Sigurisë, duke respektuar rigorozisht masat kundër “COVID-19”, u organizua një ceremoni vlerësuese e dorëzimit të “Certifikatës për shërbime të dalluara”, për Mimoza Ibrahimin specialiste/instruktore në departamentin e aftësimit profesional, në Kolegjin e Policisë si dhe akordimin e “Certifikatës së karrierës”, për kryekomisiar Qetësor Gurrën, aktualisht lektor i departamentit të hetimit të krimit në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, në Akademinë e Sigurisë.

Këto vlerësime janë akorduar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtues madhor Ardi Veliu, si vlerësime të përzgjedhura edhe në kuadrin e 60-vjetorit të lindjes së dy punonjësve shembullorë të Policisë së Shtetit.

Komisar Mimoza Fuat Ibrahimit, i është akorduar kjo “Certifikatë për shërbime të dalluara” me motivacionin: “Për punë cilësore, shërbime të dalluara në mënyrë të vazhdueshme dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës në shërbim të Policisë së Shtetit” (urdhër nr. 250 datë 8.3.2021).

Kryekomisar Qetësor Jazi Gurrës, i është akorduar “Certifikata e karrierës”, me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në rritjen e standardeve të rendit dhe sigurisë publike, veçanërisht në përgatitjen dhe kualifikimin e punonjësve të rolit të parë drejtues të Policisë së Shtetit” (urdhër nr. 251 datë 8.3.2021).

Pjesëtarë të përzgjedhur në këtë ceremoni vlerësuese, theksuan se: “Ishin dy gëzime në një ditë, ky vlerësim i punës cilësore të trupit pedagogjik mësimdhënës të Akademisë së Sigurisë. Pjesëmarrësit në këtë eveniment kanë ishin nga njësitë kryesore dhe bazë, rektorati, dekanati dhe strukturat mbështetëse të Akademisë së Sigurisë. Aktiviteti u shoqërua me masa rigoroze për shkak koronavirusit, “COVID-19”, në përputhje me aktet normative në fuqi.

Certifikatat vlerësuese u dorëzuan nga drejtori/rektori i Akademisë së Sigurisë, drejtues i lartë dr. Bilbil Memaj, i cili bëri një përmbledhje të punës së gjatë, shumëvjeçare e plot përkushtim, të komisare Mimoza Ibrahimit dhe kryekomisarit Qetësor Gurra.

Drejtori i AS-së vlerësoi performancën e Mimoza Ibrahimit dhe kryerjen me cilësi dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie të detyrave, që prej pranimit në strukturat e Policisë së Shtetit në marsin e vitit 1995, 26 vite më parë, në funksionin e pedagoges së përgatitjes fizike në ish-Akademinë e Rendit Publik, si dhe për detyra të tjera në Durrës, Lezhë, Tiranë etj. Drejtor Memaj e përfundoi vlerësimin për komisaren, duke vlerësuar se “legjenda shqiptare e volejbollit i bën nder Akademisë së Sigurisë me kontributin e saj domethënës”.

Ndërkohë një vlerësim i gjerë i është bërë kryekomisar Gurrës, nga drejtori i Akademisë së Sigurisë. Në fjalën e tij ai e vlerësoi kryekomisarin si një prej ish-studentëve elitarë të Akademisë së Sigurisë dhe që ka qenë i vetmi që është mbajtur pedagog që në ditën e parë të punës si rezultateve shkëlqyeshëm në mësime. Qetësor Gurra ka punuar 34 vjet në strukturat e policimit në Tiranë, Shkodër, Pukë, Korçë, Berat etj. Për ecurinë dhe seriozitetin e kryekomisar Gurrës, folën edhe mjaft kolegë që e vlerësuan shumë punën e tij me përkushtim për brezat e ardhshëm të policimit në Shqipëri. Me konsiderata të larta ishin vlerësimet për dy kuadrot e Akademisë së Sigurisë që gjithmonë i kanë dhënë dhe shtuar vlera punës në strukturat e Policisë së Shtetit.

Në ceremoni e morën fjalën edhe kolegë të kryekomisarit Qetësor Gurra dhe të komisare Mimozës, duke sjellë në fjalën e tyre vlerat dhe virtytet e tij si punonjës produktivë të Policisë së Shtetit, si mësimdhënës dhe qytetarë.

Në fund të këtij aktiviteti mbresëlënës përshëndetën edhe zonja Mimoza Ibrahimi dhe kryekomisari Qetësor Gurra, të cilët premtuan se eksperiencën e pasur dhe përvojën e gjatë të punës do ta vijonin ta jepnin për institucionin tonë akademik, për ecurinë sa më të mirë të mirëpërgatitjes së brezave të rinj të policimit, për misionin e Akademisë së Sigurisë me synimin që ky institucion i arsimit të lartë të vijojë ngritjen cilësore, si i barasvlershëm me akademitë homologe partnere bashkëpunuese, duke mbështetur zhvillimin e programeve edhe më cilësore, forcimin e mësimdhënies e kërkimit shkencor në institucionin akademik të policimit, që këtë vit shënon edhe 50 vjetorin e tij.