Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Policisë së Shtetit i bashkohet sot në datën 30 Korrik 2020, një tjetër kontigjent me rreth 500 punonjës të Patrullës së Përgjithshme, si kontribut i shtuar për rritjen e sigurisë publike

Fjala e plotë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu gjatë ceremonisë së certifikimit të kursantëve që përfunduan shkollën bazë për Patrullë të Përgjithshme në Kolegjin Policor.

 

I nderuar z. Ministër i Brendshëm,

Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të Misioneve Policore që asistoni Policinë e Shtetit,

Të dashur kursantë,

Sot është një ditë e veçantë për ju dhe për Policinë e Shtetit, pasi ju sot kurorëzoni përfundimin me sukses të Programit të Shkollimit në Kolegjin e Policisë dhe filloni rrugëtimin tuaj në këtë mision sa fisnik aq edhe të vështirë, ndërsa Policisë së Shtetit i bashkohet një ekip i ri, i trajnuar dhe shkolluar, i cili do t’i japë një impuls më shumë punës që po bëhet nga organizata e Policisë në luftën kundër krimit, si dhe do të rrisë performancën dhe cilësinë e shërbimit për qytetarët.

Policia e Shtetit, vit pas viti i është nënshtruar një procesi të gjerë reformimi, duke filluar me shkollimin, pasi ne jemi të bindur se me një trupë policore të shkolluar dhe të trajnuar fitojmë besimin e qytetarëve duke iu ofruar një shërbim sa më cilësor, si dhe në ndryshime strukturore, të cilat i kemi përshtatur me nevojat që kanë qytetarët për prezencën e policisë në zonat ku ata banojnë. Këto dy komponentë të rëndësishëm përbëjë edhe termin "Policimi në Komunitet" që është dhe modeli më i përparuar dhe më i suksesshëm.

 

Vitet e fundit, falë vlerësimit, investimit dhe vëmendjes së shtuar të qeverisë e në mënyrë të veçantë të Kryeministrit të vendit z. Edi Rama, roli, kuptimi, pritshmëria dhe perfomanca e punonjësve të Policisë së Shtetit kanë ndryshuar tërësisht.

 

Mbi 3 mijë djem e vajza janë bërë pjesë e Policisë së Shtetit gjatë këtyre viteve, duke bërë që qytetarët të kenë një perceptim dhe vlerësim më pozitiv për Policinë.

 

Ndërkohë, angazhimi dhe vendosmëria e Policisë së Shtetit, sidomos dy vitet e fundit, për të luftuar krimin e organizuar dhe zhvillimi i dhjetëra operacioneve të përbashkëta me partnerët ka bërë që tashmë Policia e Shtetit të radhitet si e barabartë me policitë homologe, duke fituar besueshmëri te partnerët më strategjikë dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.

 

Të nderuar kursantë,

Ju sot po nisni rrugëtimin për të përmbushur një mision, një detyrë fisnike dhe të shenjtë, atë të shërbimit me përkushtim, ndershmëri, integritet dhe sakrificë për të mirën e qytetarëve, pasi arsyeja thelbësore e ekzistencës së organizatës sonë është shërbimi për qytetarët.

Të jesh punonjës policie do të thotë të jesh pjesë e shoqërisë, t’i shërbesh asaj, t’u gjendesh pranë njerëzve në nevojë, të punosh ditë e natë me vetësakrificë për t’iu siguruar atyre qetësi, siguri dhe normalitet.

Pavarësisht këtyre vështirësive, për të cilat shumë prej jush janë të vetëdijshëm, është e dukshme dhe e prekshme dëshira juaj për të qenë punonjës policie.

Entuziazmi dhe energjitë që ju keni demonstruar gjatë kësaj kohe në teori e praktikë, por dhe interesimi i shprehur qartazi i qindra aplikantëve që tashmë po aplikojnë për t’iu nënshtruar fazave të konkurrimit me dëshirën e madhe për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, janë garanci për suksesin e mëtejshëm të Policisë së Shtetit.

Uniforma që ju keni veshur mbart në vetvete historinë, traditat dhe sakrificën e brezave të tërë të Policisë së Shtetit, që janë përballur pa kompromis me krimin duke mos kursyer edhe gjënë më të çmuar, jetën. Ky akt sublim i tyre është burim frymëzimi për ne, për ju e për brezat që do vijnë në Policinë e Shtetit.

Kurrë mos u shmangni nga këto objektiva dhe kurrë mos e braktisni këtë mision kaq të rëndësishëm.

Me këtë rast dua që t’ju uroj jetëgjatësi dhe suksese në Policisë dhe të gëzoni mirënjohjen e komunitetit për atë çka do jepni gjatë karrierës suaj.

Faleminderit!

 

Video e plotë

https://www.facebook.com/Akademia-e-Siguris%C3%AB-2175426622739822/