Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Ceremoni për dorëzimin e certifikatave të vlerësimit, akorduar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, disa punonjësve të Akademisë së Sigurisë

Me datë 22 Korrik 2020, në ambientet e Akademisë së Sigurisë (AS), u zhvillua një ceremoni për dorëzimin e certifikatave të vlerësimit, akorduar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, disa punonjësve të Akademisë së Sigurisë, me rastin e daljen në pension të tyre apo në përvjetorët e lindjes.

Pedagoges Ameli Shkurti, me rastin e daljes në pension ju akordua “Çertefikata e karrierës”, pas një karriere prej rreth 40 vjetësh në strukturat e sigurisë, përfshirë edhe Policinë e Shtetit, të cilën e mbylli si pedagoge e lëndës së “Informatikës”, në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit.

Gjithashtu me rastin e daljes në pension ju akorduan “Çertifikata për shërbime të dalluara"   5 punonjësve të tjerë të Akademisë së Sigurisë:

  • Pedagogut Skënder Bajraktari, me një karrierë mbi 40 vjeçare në strukturat e sigurisë, përfshirë edhe Policinë e Shtetit, të cilën e mbylli si pedagog në Departamentin e Ruajtjes e Sigurisë Publike, në Fakulteti i Sigurisë dhe Hetimit.
  • Instruktorit Ferhat Hysa, me një karrierë gati 25 vjeçare në strukturat e Policisë së Shtetit, të cilën e mbylli si specialist/instruktor, në sektorin e Trajnimeve dhe Mjeteve Motorike, në Drejtorinë e Certifikimeve dhe Shërbimeve ndaj të Tretëve.
  • Zonjës Nexhmie Dragusha, e cila për rreth 25 vjet shërbeu si punonjëse e shërbimeve mbështetëse në Akademinë e Sigurisë.
  • Zotit Kostaq Krisafi, i cili për rreth 30 vjet shërbeu si punonjës i shërbimeve mbështetëse në Akademinë e Sigurisë.
  • Zonjës Donika Naska, e cila për më shumë se 20 vjet shërbeu si punonjëse e shërbimeve mbështetëse në Akademinë e Sigurisë.

Ndërsa, me rastin e 60 vjetorit të lindjes ju akorduan “Çertifikata për shërbime të dalluara"   dy punonjëseve të shërbimeve mbështetëse në Akademinë e Sigurisë:

  • Zonjës Afërdita Hoxha, e cila për rreth 35 vjet shërben si punonjëse e shërbimeve mbështetëse në strukturat e Policisë së Shtetit, 30 nga të cilat në Akademinë e Sigurisë.
  • Zonjës Vjollca Pina, e cila për më shumë 30 vjet shërben si punonjëse e shërbimeve mbështetëse në strukturat e Policisë së Shtetit, 25 nga të cilat në Akademinë e Sigurisë.

Në ceremoni përveç punonjësve të cilëve ju ishin akorduar certifikatat e vlerësimit, ishin të pranishëm edhe pjesëtarë të familjeve, miq e të afërm të tyre, ish punonjës, drejtues dhe staf i strukturave të Akademisë së Sigurisë, si edhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Drejtori/Rektori i Akademisë së Sigurisë, drejtues i lartë dr. Bilbil Memaj, në fjalën e mirëseardhjes përshëndeti të pranishmit edhe në emër të stafit të Akademisë së Sigurisë, duke uruar punonjësit të cilët dalin në pension dhe ata që kishin përvjetorin e lindjes, që të gëzojnë certifikatat e akorduara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me propozimin e Akademisë së Sigurisë dhe se ky është një vlerësim për punën dhe kontributin e tyre në shërbim të Policisë së Shtetit dhe të sigurisë publike në tërësi.

“Njeriu nuk harrohet as kur del në pension e as kur vdes. Njeriu harrohet kur harrohet vepra dhe puna e tij, kontributi i tij i dhënë ditë pas dite. Për këtë arsye jemi këtu. Për t’ju kujtuar juve, të dashur kolegë, se kontributi juaj nuk do të harrohet dhe nuk është kaluar pa u vënë re. Ju falënderoj në emër të Akademisë së Sigurisë për punën tuaj të palodhur dhe ju uroj që të vazhdoni të jepni kontributin tuaj edhe në periudhën pas daljes në pension. Ju do të jeni gjithmonë të mirëpritur këtu, për të ardhur sa herë të dëshironi që të na takoni e të çmallemi. dyert e Akademisë së Sigurisë do jenë gjithmonë të hapura për ju kolegë të nderuar. Me punën tuaj ju nderuat institucionin dhe padyshim edhe veten tuaj. Ju uroj një pension të mbarë bashkë me familjarët e miqtë që keni!” - tha ndër të tjera, në këtë ceremoni, drejtori/rektori i AS-së.

Në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, përshëndeti të pranishmit drejtor i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, drejtues i parë Nikoll Rica, i cili vlerësoj lart punën e Akademisë së Sigurisë, si institucion i shkollimit dhe kualifikimit të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe jo vetëm, por veçanërisht vlerësoj punën e punonjësve që u janë akorduar certifikatat vlerësuese, duke uruar ata që dalin në pension që të kenë jetë të gjatë dhe të mos shkëpusin kontaktet me Policinë e Shtetit.

Gjithashtu përshëndetën të pranishmit, drejtues Skender Doda, drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit dhe Drejtimit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ish-drejtor i Akademisë së Policisë dhe President i Shoqatës Ndërkombëtare të Policisë – IPA Seksioni Albania dhe zoti Pëllumb Luzi, ish – drejtor i Shkollës së Lartë të MPB.

Pas dorëzimit të certifikatave, në mbyllje të ceremonisë, shefi i Sektorit të Burimeve Njerëzore, në Akademinë e Sigurisë, zoti Bilbil Dervishi, falënderoj të pranishmit dhe i ftoj ata në një koktej të organizuar me këtë rast, ku në një nga sallat e AS-së u shfaq edhe një dokumentar i përgatitur nga QKSh, për veprimtarinë e punonjësve që e vlerësuan me certifikata apo dolën në pension.

Ceremonia e zhvillua duke zbatuar me korrektësi protokollet e përcaktuara në kuadër të pandemisë COVID-19.

Top of Form