Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

AS zhvilloi konferencën V shkencore ndërkombëtare “Krimi mjedisor, siguria mjedisore dhe siguria kombëtare” 11 shkurt 2020

Akademia e Sigurisë organizoi konferencën e 5-të shkencore me pjesëmarrje ndërkombëtare, me titull: "Krimi mjedisor, siguria mjedisore dhe siguria kombëtare". Punimet e konferencës u zhvilluan në ambientet e “Hotel Tiranës”. Akademikë, studiues, profesionistë nga vendi e bota, studentë e punonjës të Policisë së Shtetit dhe të gjithë institucioneve ligjzbatuese e më gjerë, morën pjesë me punime, projekte, propozime dhe prezantime për konferencën. Fjalën e çeljes së punimeve të konferencës e mbajti drejtori/rektori i AS-së, drejtues i lartë dr. Bilbil Memaj. Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe ministri i Mjedisit e Turizmit, Blendi Klosi; zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, si dhe zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton. Pas fjalës përshëndetëse për hapjen e konferencës nga rektori i Akademisë së Sigurisë, Memaj, nga pjesëmarrësit e mësipërm u bënë përshëndetjet e rastit, të cilat e vlerësuan njëzëri konferencën. Punimet e konferencës u zhvilluan të ndara në katër sesione dhe në përfundim të kumtimeve përkatëse, të pranishmëve iu shpërndanë certifikatat e pjesëmarrjes.

Përmbledhje mbi punimet dhe përmbajtjen e konferencës

Në bashkëpunim me Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, Universitetin e Romës "Tor Vergata", Universitetin "Aleksandër Moisiu" Durrës, departamentin e shkencave politike në Fakultetin e Shkencave Sociale të UT-së, Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin "Luarasi", Tiranë; dhe me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, si dhe të Bashkisë së Tiranës, Akademia e Sigurisë, organizoi konferencën V shkencore ndërkombëtare: "Krimi mjedisor, siguria mjedisore dhe siguria kombëtare". Konferencat shkencore ndërkombëtare të organizuara nga Qendra Kërkimore Shkencore e AS-së tashmë kanë hyrë në rrugën e traditës vjetore.

Në fokus të kësaj konference ishte siguria mjedisore, e cila, në dekadat e fundit, është shndërruar në një nga shtyllat më të rëndësishme të sigurisë njerëzore, të asaj kombëtare e sigurisë ndërkombëtare. Meqenëse siguria mjedisore përqendrohet te hetimi i kërcënimeve që sillen përmes mjedisit, te komuniteti ndërkombëtar i kombeve, te shoqëria dhe te njeriu, atëherë fokusi i kësaj konferencë ishte i gjerë, gjithëpërfshirës dhe i lidhur me këto kërcënime. Ky fokus do i shërbejë ndërtimit të një kornize të plotë që ka lidhje me sigurinë mjedisore. Kjo kornizë do të jetë në funksion të kthjellimit dhe të rritjes së informacionit e vetëdijes së institucioneve, shoqërisë, agjencive ligjzbatuese dhe Policisë së Shtetit, si institucion, që ka pjesën e vet në drejtim të sigurisë mjedisore. Krahas fokusit të gjerë të konferencës, specifika e saj, qëndron te evidentimi dhe trajtimi i sigurisë mjedisore në këndvështrimin e përgjegjësive, nevojave, strategjive dhe detyrimeve që dalin para policisë, lidhur me krimet mjedisore. Roli i policisë në zgjidhjen e problemeve mjedisore është i rëndësishëm, për shkak se këto probleme, shpeshherë kanë natyrë kriminale dhe janë me kalime ndërkufitare.

Objektvat e konferencës

Objekti kryesor i kësaj konference, ishte paraqitja e analizave dhe prognozave, si nga aspekti i hetimit të krimeve mjedisore, edhe në aspektin e trajtimit të sigurisë mjedisore në tërë rrafshin e saj të gjerë, ku ndikimet dhe gërshetimet gjenden te siguria kombëtare e ajo ndërkombëtare. Konferenca pati si objekt përmirësimin e dijes akademike lidhur me sigurinë mjedisore duke kontribuuar përmes punimeve shkencore. Kjo dije synohet që t'i shërbejë përmirësimit të nivelit akademik e profesional policor që ka lidhje me krimin mjedisor dhe përballjen me veprat penale që kanë natyrë të tillë apo që gërshetohen me elementin mjedisor.

Qëllimi i konferencës

Konferenca kishte si qëllim trajtimin në mënyrë shkencore të shkallës së rëndësisë së mbrojtjes juridiko-penale të mjedisit; kuptimin e veprave penale kundër mjedisit dhe trajtimin përmes e figurave të përgjithshme të tyre; llojet e veprave penale kundër mjedisit; trajtimin e kuptimit dhe veçorive të hetimit të veprave penale mjedisore, etj. Qëllimi kryesor ishte përmirësimi i sigurisë mjedisore në vendin tonë, përmes kontributit akademik policor e jo vetëm: duke ndarë praktikat më të mira mjedisore dhe mësimet e nxjerra; duke formuar bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh, duke identifikuar aktorët dhe përgjegjësitë, mungesat ligjore dhe rekomandimet për të ardhmen; për paraqitjen e praktikave ekzistuese dhe rekomandime të mëtejshme të kurrikulave, programeve e trajnimeve për fushën e sigurisë mjedisore te punonjësit e policisë e më gjerë.

Synimi i konferencës

Kjo konferencë synoi të bashkojë njëzëri akademikë, shkencëtarë, profesionistë dhe ekspertë të fushave të sigurisë, të mjedisit, të marrëdhënieve ndërkombëtare etj.; prokurorë, gjyqtarë, oficerë të policisë gjyqësore si dhe ekspertë të tjerë për të ndarë eksperiencat, praktikat, punimet shkencore dhe gjetjet në të gjitha aspektet gjithëpërfshirëse të sigurisë mjedisore. Konferenca kishte këto synime kryesore:

- përforcimin dhe theksimin se siguria mjedisore është një përbërës i prekshëm, i vërtetë, i qenësishëm dhe shumë i ndjeshëm i sigurisë kombëtare, i çdo shteti dhe, duke bërë qasje specifike te Shqipëria;

- zgjerimin e bashkëpunimit dhe shpënien përpara, të dialogut të sigurisë mjedisore midis aktorëve në vend dhe në rajon;

- rritjen e vetëdijes për çështjet e sigurisë mjedisore, praktikat më të mira dhe mësimet e nxjerra për përmirësimin e aftësisë themelore të sigurisë mjedisore të Shqipërisë;

- trajtimin e aspekteve ligjore dhe juridike e historike krahasuese, të krimit mjedisor brenda dhe jashtë vendit;

- dhënien e rekomandimeve, për politika të zgjeruara, Policisë së Shtetit e strukturave përkatëse që trajtojnë këtë problematikë, në kuadër të përmirësimit të punës së policisë dhe reduktimit të krimeve apo dhe parandalimit të dukurisë së krimit mjedisor;

- mbulimin në detaje të së gjitha aspekteve ligjore dhe teknike lidhur me menaxhimin praktik të problemeve mjedisore në shkallë vendore, në kushtet e Shqipërisë dhe duke shfrytëzuar praktikën më të mirë ndërkombëtare në këtë fushë;

- ngritjen cilësore të metodave të hetimit të krimeve mjedisore.

Tipi i konferencës

Konferenca është e llojit "konferencë shkencore ndërkombëtare". Ajo do të zhvillohet para një auditori që do të ketë kërkues nga vendi dhe bota si dhe staf akademik nga Akademia e Sigurisë; studiues dhe ekspertë vendas e të huaj, të çështjeve të sigurisë; drejtues dhe specialistë të strukturave të Policisë së Shtetit, agjencive të tjera ligjzbatuese; përfaqësues të misioneve të huaja policore që asistojnë Policinë e Shtetit; përfaqësues të institucioneve akademike partnere në vend dhe të akademive, kolegjeve e universiteteve policore, partnere, të huaja.

Struktura e konferencës

Sesioni I

Siguria mjedisore në kuadrin e sigurisë kombëtare dhe globale (këndvështrimi strategjik, gjeopolitik, politik dhe teorik):

           - ndryshimet klimatike dhe siguria,

           - politikat mjedisore kombëtare e globale,

           - gjeopolitika dhe siguria mjedisore,

           - mjedisi, siguria dhe iniciativat globale,

           - shfrytëzimi i burimeve të përbashkëta natyrore dhe siguria mjedisore,

           - masat frenuese kundër ndryshimeve klimatike dhe politikat kombëtare,

           - ndërgjegjësimi publik, informimi dhe siguria mjedisore,

           - interesi kombëtar dhe politikat globale mjedisore,

           - organizatat e ndërkombëtare mjedisore, aktorë të marrëdhënieve ndërkombëtare,

           - siguria mjedisore si pjesë përbërëse e sigurisë njerëzore,

           - raportet e sigurisë mjedisore me shoqërinë, kulturën dhe ekonominë,

           - rritja ekonomike, agrikultura dhe siguria mjedisore.

Sesioni II

Krimi dhe siguria mjedisore në Shqipëri: kuadri ligjor dhe institucional.

           - kuptimi i përgjithshëm dhe juridik mbi krimin mjedisor dhe format e tij,

           - legjislacioni shqiptar mbi krimin mjedisor aspektet ligjore dhe teknike lidhur me menaxhimin praktik të problemeve mjedisore në shkallë vendore, në  kushtet e Shqipërisë dhe duke shfrytëzuar praktikën më të mirë ndërkombëtare në këtë fushë,

           - vështrim analitik i krimeve mjedisore të ndodhura në Shqipëri,

           - evidentimi i problematikes, faktorët që e nxisin, mundësojnë, krijojnë terren për zhvillim të dukurisë së krimit mjedisor në vendit,

           - trendi i përhapjes së krimit mjedisor sipas viteve: analiza statistikore dhe raporte,

           - perceptimi publik dhe institucional mbi sigurinë mjedisore,

           - analizë e shkaqeve dhe shtrirjes gjeografike të krimit mjedisor.

Sesioni III

Qasja e policisë së shtetit dhe agjencive ligjzbatuese ndaj krimeve mjedisore si krime të një natyre specifike, si dhe për parandalimin e këtyre veprave penale:

           - rëndësia e mbrojtjes juridike penale të mjedisit,

           - llojet e veprave penale kundër mjedisit,

           - veprimet e punonjësit të policisë në rastet e konstatimit të veprave penale,

             - kundër mjedisit dhe ndërtimeve pa leje etj.,

           - bashkëpunimi i Akademisë së Sigurisë me OSBE lidhur me mundësinë e rishikimit të kurrikulave ekzistuese në sistemin arsimor,

           - policimi në komunitet.

Sesioni IV

Kuptimi, veçoritë, specifikat dhe metodat e hetimit të veprave penale kundër mjedisit:

           - ngritja cilësore e metodave të hetimit të krimeve mjedisore,

           - studim/përvojë mbi praktikën më të mirë ndërkombëtare në këtë fushë,

           - trajnim i specializuar i specialistëve të hetimit të krimit mjedisor.

Pjesëmarrja në konferencë

Pjesëmarrja ishte e hapur: për staf akademik, studentë të Akademisë së Sigurisë, ekspertë e studiues nga radhët e strukturave të Policisë së Shtetit e agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, akademikë të institucioneve të tjera të arsimit të lartë publik e privat në vend, studiues e ekspertë të çështjeve të hetimit dhe të sigurisë në vend dhe vende partnere, përfaqësues nga organizma ndërkombëtare partnere të Policisë së Shtetit etj.

  1. Fjala e Drejtorit/Rektorit të AS-së, drejtues i lartë dr. Bilbil Memaj, konferencën V shkencore ndërkombëtare: “Krimi mjedisor, siguria mjedisore dhe siguria kombëtare”, kliko këtu

  2. Fjala e Zevendësministres së Brendshme znj. Romina Kuko, në konferencën e V shkencore ndërkombëtare “Krimi mjedisor, siguria mjedisore dhe siguria kombëtare”, kliko këtu

  3. Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtues madhor Ardi Veliu në konferencën e V shkencore ndërkombëtare “Krimi mjedisor, siguria mjedisore dhe siguria kombëtare”, kliko këtu